Policia ka arrestuar një burrë të armatosur me thikë pasi ai ka tentuar të hyjë në rezidencën e kryeministrit belg ditën e sotme.
Personi i armatosur tentoi të hyjë në rezidencën e kryeministrit, Alexander De Croo, këtë të hënë ndërsa policia ushtarake arriti ta neutralizonte menjëherë.
Barend Leyts, drejtori i zyrës së komunikimit të kryeministrit, Alexander De Croo, konfirmoi incidentin për Belga News Agency.
“Personi është dërguar në komisariat. Policia ushtarake nuk është lënduar gjatë ndërhyrjes”, tha Leyts.
Ndërkohë vetë kryeministri reagoi me anë të një postimi në X për ngjarjen.
“Jam i tronditur nga incidenti. Dëshirojmë të shprehim falënderimet tona të sinqerta për oficerët e policisë ushtarake. Situata po monitorohet nga afër së bashku me policinë. Jemi të lehtësuar që askush nuk u lëndua gjatë ndërhyrjes”, shkroi kryeministri në X.