Tensione në një qendër votimi në Tiranë, përplasje mes vëzhguesve dhe policisë! Agron Shehaj: Duhet të na tërhiqni zvarrë
Tensione të forta janë regjistruar në një qendër votimi në Tiranë, pasi Komisioni i Zonës së Administrimit Zgjedhor (KZAZ) ka dhënë urdhër për nxjerrjen jashtë të vëzhguesve të partive politike. Forcat e policisë ndërhynë brenda qendrës së votimit për të zbatuar urdhrin, duke përballur kundërshtimin e kryetarit të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, dhe deputetit demokrat Belind Këlliçi.
Shehaj reagoi ashpër, duke thënë se vëzhguesit nuk duhet të largohen me forcë: Duhet të na tërhiqni zvarrë sepse po vidhen votat. Jemi këtu vëzhgues, kemi një të drejtë të jemi vëzhgues, nuk kërkojmë qiqra në hell.
Ndërkohë, Këlliçi kërkoi shpjegime nga policia për arsyen e këtij urdhri: Ka ardhur urdhri pse duhet të ndërpritet? Ka pasur incident, konflikt? Duhet arsye.
Një efektiv iu përgjigj duke theksuar se ata po veprojnë sipas urdhrit dhe nuk janë të detyruar të japin shpjegime në këtë moment.