Telefonatë mes Sekretarit të Shtetit Marco Rubio dhe Lavrov/ Në fokus rikthimi i dialogut SHBA-Rusi dhe konflikti në Ukrainë
Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio dhe Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov zhvilluan një telefonatë të rëndësishme, duke rënë dakord për kontakte të rregullta në përgatitje të një takimi mes presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit amerikan Donald Trump.
Sipas Ministrisë së Jashtme ruse, biseda u zhvillua me iniciativën e SHBA-së dhe fokusi kryesor ishte rikthimi i dialogut mes dy fuqive botërore.
“Të dyja palët shprehën vullnetin për të bashkëpunuar në çështjet urgjente ndërkombëtare, përfshirë zgjidhjen e konfliktit me Ukrainën, situatën rreth Palestinës dhe tensionet në Lindjen e Mesme,” thuhet në deklaratën e Rusisë.
Ndër të tjera, Lavrov dhe Rubio konfirmuan gatishmërinë e tyre për të punuar së bashku për të vendosur një ton të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve, në përputhje me orientimet e presidentëve përkatës.
Kjo telefonatë vjen pas një bisede të gjatë që Trump dhe Putin zhvilluan të mërkurën, duke shënuar kontaktin e parë të drejtpërdrejtë mes dy liderëve që nga telefonata e fundit e Putin me Joe Biden para nisjes së luftës në Ukrainë në shkurt të vitit 2022.