TEDI MULA, politikani i ri që FUSHATËN e ka kthyer në moment FESTE për socialdemokratët

Në zgjedhjet e 11 majit, shumë forca politike kanë zgjedhur të rinjtë si kartën e tyre elektorale. Një prej tyre është edhe Partia Socialdemokrate (PSD) e Tom Doshit, e cila ka përfshirë të rinjtë në listat e hapura. Një nga emrat e rinj që garon për PSD-në është Tedi Mula.

Në një intervistë me gazetaren Fjori Dardha në Top News, Tedi Mula tha:

“Është një fenomen i ri sepse të rinjtë nuk kanë zgjedhur të rrinë në TikTok, Instagram e Facebook, por të jenë pjesë aktive e politikës. Ata duan ta marrin vetë në dorë fatin e jetës së tyre.”

Ai shprehu kënaqësinë që në këtë garë ka si kundërshtarë të rinj të tjerë dhe bëri thirrje për angazhim:

“Më bëhet qejfi që si kundërshtar kam po ashtu djem dhe vajza të reja dhe i bëj thirrje të gjithë të rinjve të bashkohen. Rinia duhet ta marrë vetë në dorë fatin e jetës së tyre.”

Gjatë intervistës, Fjori Dardha e pyeti për mbiemrin e tij të njohur dhe lidhjen me artistët e famshëm Avni Mula, Inva Mula dhe Osman Mula.

Tedi Mula u përgjigj: “Po, këta janë familja ime dhe është një përgjegjësi e madhe që më bie mbi supe, sepse familja ime i ka dhënë shumë këtij vendi në kulturë. Këtë herë, ne do mundohemi të japim idetë tona edhe në politikë.”

I pyetur se pse është përfshirë kaq seriozisht në politikë në këtë periudhë, ai tha:

“Kam qenë pjesë e forumeve rinore politike, kemi marrë pjesë në trajnime të ndryshme, edhe të huaja edhe në Shqipëri. Por këtë herë është ndryshe sepse po kërkoj votëbesimin për veten time dhe i bazohem premtimeve që do u jap njerëzve.”

Në lidhje me zgjedhjen për të kandiduar me PSD-në, Mula theksoi:

“Më lidhin me PSD-në bindjet dhe parimet. PSD këtë herë ka fokus rininë, shtresën sociale dhe më kryesoren, shëndetësinë. Me Tom Doshin na ka bërë bashkë bindja dhe projektet që PSD ka për njerëzit.”

Ai shtoi gjithashtu se kanë qenë edhe në diasporë për të bërë thirrje për rikthimin e të rinjve në Shqipëri, por korrupsioni mbetet një pengesë e madhe.

“Nëse nuk luftojmë korrupsionin dhe nuk promovojmë meritokracinë, është e pamundur që të rinjtë të rikthehen.”

Tedi Mula theksoi se shumë qytetarë janë të zhgënjyer dhe shprehen:

“Nuk kemi se çfarë humbasim më, do u japim votën të rinjve.”

Ndër të tjera ai shprehet: Si kandidat për Tiranën, kam bërë një premtim me veten: në të gjitha zyrat tona elektorale kemi vendosur vetëm djem dhe vajza të reja. Nëse unë nuk do e kisha bërë për veten time, atëherë flas kot për rininë. Kjo është kostoja që kemi marrë përsipër dhe kjo kosto do na çojë drejt suksesit.

Në lidhje me listën e kandidatëve të PSD-së në Tiranë, ai tha:

“Lista për qarkun e Tiranës është jashtëzakonisht e mirëpërgatitur. Kemi inxhinierë, avokatë, noterë, arkitektë, kemi përfaqësues nga profesione të lira dhe nga çdo sektor i mundshëm. Por problemi ynë është se, duke qenë se lista është e hapur, kemi konkurrencë mes njëri-tjetrit.”

Ai e konsideroi konkurrencën si një avantazh për partinë.

“Për aq kohë sa kjo konkurrencë është e ndershme, do na maksimizojë votat e kandidatëve dhe të gjitha votat shkojnë për partinë.”

Sipas projeksioneve të PSD-së, partia synon të marrë të paktën tre mandate në Tiranë dhe po lufton për të katërtin.

“Në disa media, në sondazhe nuk na llogarisin si parti, sepse na kanë frikën, ndjejnë rrezikun dhe e dinë që do jemi faktor në qeverisjen e vendit.”

Në fund të intervistës, Tedi Mula u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë PSD-në më 11 maj:

“Unë nuk vij nga politika, jam rritur në një familje të ndershme, jam mësuar të punoj me dinjitet. Këto parime dua t’i zbatoj edhe në politikë dhe i ftoj të gjithë të bashkohemi dhe të votojmë PSD-në.”

Ai paralajmëroi se PSD këtë vit do të krijojë grupin e saj parlamentar prej 7 deputetësh, të cilët do të jenë garancia e çdo premtimi elektoral.