Tedi Mula, kandidat i PSD: Dua që vajza ime të rritet në një Shqipëri me siguri, arsim cilësor dhe mundësi punësimi
Tedi Mula, kandidat i Partisë Socialdemokrate (PSD) për deputet në qarkun e Tiranës, ka shpalosur vizionin dhe angazhimin e tij politik gjatë një interviste në studion e News24 me gazetaren Ola Bruko. Në këtë intervistë, Mula vuri theksin tek përfshirja e të rinjve në jetën publike, domosdoshmërinë për të ndalur emigrimin masiv dhe nevojën për një politikë që i shërben qytetarëve.
Ola Bruko: Je nga Shkodra, por garon në Tiranë. Është zgjedhje personale kjo apo kërkesë e partisë?
Tedi Mula: Është një miks mes zgjedhjes personale dhe asaj që diskutuam për partinë. E dyta padyshim që është personale sepse unë jam prindi i një vajze dyvjeçare dhe dua shumë që të rritet në një vend që ofron parqe për të luajtur, një vend në të cilin arsimi të jetë në nivelin e lartë dhe të merituar. Nesër pasnesër të mos emigrojë vajza ime, siç kanë emigruar të gjithë, dhe e fundit, të jetë një vend që ofron siguri. Ndaj programi politik i PSD-së i ofron të gjitha këto.
Ola Bruko: Kjo është hera e parë që të shohin në një garë politike. Ndoshta të njohin ndryshe sepse ti ke një background; për shumë kënd nuk je krejt i panjohur. Çfarë të shtyu të hysh në politikë?
Tedi Mula: Ata që më njohin e dinë që kam qenë pjesë e përhershme e politikës, në trajnime politike, kemi qenë pjesë e fushatave zgjedhore. Çfarë më bëri këtë herë të jem pjesë aktive në politikë për veten time, të kërkoj votëbesimin për veten time, është problemi kryesor që po i ndodh vendit tonë: është hemorragjia që i ka ndodhur me ikjen e të rinjve. Po flasim të gjithë për të rinjtë që po ikin, por asnjëherë nuk themi se çfarë po bëjmë për këtë rini. Kemi vendosur që këtë herë të bashkohemi të gjithë të rinjtë dhe të vendosim vetë fatin e jetës sonë.
Ola Bruko: Motorët e fushatës janë ndezur. Po kështu janë të fuqishëm edhe për partinë tuaj?
Tedi Mula: Përherë motorët e partisë sonë kanë qenë të ndezur. Ne kemi filluar vetëm me një deputet, më pas me tre, dhe këtë vit pretendojmë që të marrim 7-8 deputetë. Kjo gjë nuk ka ardhur si pasojë e motorëve që kanë qenë ndezur vetëm për një muaj para zgjedhjeve, por motorët e strukturave të partisë sonë kanë qenë përherë të ndezur dhe të plotë.
Ola Bruko: Kam vënë re që fokusi juaj janë të rinjtë. Edhe ekipin e keni të ri. Pse kjo lloj forme, pse ky prezantim?
Tedi Mula: Ne flasim për rininë. Gjeja e parë që më pyesin njerëzit është: “Ti çfarë po bën për rininë?” Ne po bëjmë atë që kemi në dorë: struktura, njerëzit që merren me fushatën të jenë të rinj.
Ola Bruko: Ke zbritur në terren. Konkretisht, çfarë ke konkretizuar? Si shkojnë takimet? Çfarë ju thonë njerëzit?
Tedi Mula: Unë jam deleguar në njësinë nr. 1 dhe gjithë takimet që kemi bërë me njerëzit janë të shumta. Pjesa më kryesore, të paktën në zonën ku jam, është infrastruktura. Lë për të dëshiruar. Ka rrugë të shtruara dhe rrugë të pashtruara; ato të pashtruarat janë jashtë standardeve, duhet të ketë trotuare, ndriçime. Shiu i futet në shtëpi, etj. Problem janë legalizimet në zonën rurale për të cilat duhet të luftojmë për t’i dhënë një zgjidhje. Njerëzit janë të pasigurt dhe janë të paqetë. Thonë: “Flemë gjumë natën dhe nuk e dimë ku do çohemi ditën, sepse thonë mund të na i marrin shtëpinë.” Unë, si Tedi, nuk ka rëndësi partia, u bëj thirrje të insistojnë t’i japin zgjidhje.
Ola Bruko: Si i presin qytetarët të rinjtë?
Tedi Mula: Kjo është e vetmja gjë që nuk e kisha parashikuar, sepse në momentin që shkojmë, kërkojmë votëbesimin, prezantojmë programin, i shikoj njerëzit me një dashamirësi shumë të madhe. Thonë: “Nuk ka rëndësi partia, rëndësi ka që ju po bëni diçka për vendin tonë.” Kjo ka qenë surpriza që jam përballur me terrenin këtë herë. E kanë derën e hapur çdo i ri dhe e re në partinë tonë dhe në strukturën tonë.
Ola Bruko: Më veçoni një nga momentet që ju ka mbetur në mendje gjatë takimeve me njerëzit, gjatë shpalosjes së programit?
Tedi Mula: E para është pak negative, sepse e kishim lënë të bënim takime shtëpi më shtëpi për të prezantuar programin tonë elektoral. Dhe në një moment shoh atë të stafit të mërzitur. I thashë: “Çfarë keni?” Thanë: “Do bjerë shi dhe do duhen tre ditë që të ikë balta,” dhe sikur ishin të gjithë pesimistë. Është turp që në vitin 2025 ne të kemi frikë të veshim atlete të bardha, ose të kesh frikë të dalësh në rrugë në këmbë. Turp në vitin 2025! Momenti i dytë ishte shumë interesant, me një djalë që erdhi me problematikat e tij. Ia shpjeguam që ligji, për arsye të caktuara, nuk mund të shkelet. Dhe ai në atë moment tha: “Mu bë shumë qejfi që dëgjova këto fjalë.” U stepa. Thashë: “Çfarë ndodhi?” E ai tha: “Kisha kohë pa ma thënë njeri të vërtetën në sy. Jeni të ftuar të gjithë,” tha, “për t’ju organizuar një takim dhe të gjithë banorët e kësaj lagjeje t’i thërrasim dhe t’ua thoni të vërtetën në sy, ashtu siç është për t’ua thënë.”
Ola Bruko: Si e ka pritur familja juaj kandidimin?
Tedi Mula: Familja ime e ka pritur shumë mirë. Jam shumë mirënjohës të gjithëve ata që më mbështesin pa masë në këtë mision që unë kam marrë.
Ola Bruko: Nëse do jeni nesër në Kuvendin e Shqipërisë si deputet, cila do të jetë gjëja e parë që ju do të bënit si deputet në një sektor që keni për zemër?
Tedi Mula: Duke pasur parasysh që fokusi janë të rinjtë, ne do marrim nisma që të rinjtë që mbarojnë shkollën të kenë mundësi të fillojnë punë direkt, sepse jetesa është bërë tepër e vështirë. Nuk po blejmë dot shtëpi kollaj, nuk mund të marrësh dot një shtëpi me qira në zonat më elitare sepse qiraja është rritur jashtëzakonisht shumë. Pastaj janë nismat për sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë, për pensionet minimale – pensione që të jenë të barabarta si në qytet ashtu edhe në zonat rurale. Shëndetësia që është kryesorja – që çdo njeri duhet të marrë shërbim dinjitoz.
Ola Bruko: Çfarë e bën një të ri të largohet nga Shqipëria?
Tedi Mula: Flasim për një nepotizëm, flasim për jo meritokraci. Këto janë gjërat kryesore që thotë një njeri: “Unë njësoj po punoj si në Shqipëri, njësoj dhe jashtë. Të paktën jashtë nuk ma ha kush mundin, ndërsa këtu e kam shumë të vështirë të marr atë që unë po bëj.” Në fund të fundit, as ata nuk duan të jetojnë larg familjes, vendit të tyre.
Ola Bruko: Cili do të ishte mesazhi që do u jepje njerëzve që po të ndjekin tani?
Tedi Mula: Më 11 maj vota është shumë e rëndësishme. Asnjë njeri të mos hezitojë të shkojë të votojë. Votimi duhet të jetë në masë dhe, po ashtu siç duhet të jetë në masë votimi, duhet të votojnë numrin 11 – PSD.