Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, deklaroi nga Korça se ende nuk ka një koalicion zyrtar mes PL dhe Partisë Demokratike.
Sipas tij, për sa kohë nuk ka një marrëveshje të tillë, nuk mund të flitet për detaje që lidhen me kandidatët që do të jenë në listat e mbyllura të PD.
Blushi pranoi se situata është e vështirë për Partinë e Lirisë, për shkak të faktit që kreu i saj, Ilir Meta, ndodhet në burg, por theksoi se forca politike do të bëjë të pamundurën për të arritur objektivat.
I pyetur për qëndrimin e PL lidhur me SPAK, ai u shpreh se nëse SPAK zbardh të vërtetën për aferën e inceneratorëve dhe vjedhjet e qeverisë, partia e tij do të ishte gati t’i “shtonte edhe një mijë vite jetë”.
Deklaratat e Blushit u bënë pas një takimi me strukturat e PL në qarkun e Korçës.