“Të vdesësh për atdhe, si të rilindësh përsëri”- Jetëshkrim i policit hero në Kosovë
“Të vdesësh për atdhe, është si të rilindësh përsëri”, me këtë shprehje do ta kujtojë Kosova Afrim Bunjakun, policin që mbeti i vrarë në krye të detyrës pas përplasjes me një grup serbësh të armatosur rëndë.
Bunjaku humbi jetën në moshën 50-vjecare, pas një karriere të gjatë në policinë e Kosovës dhe së fundmi ishte transferuar për të ushtruar detyrën e tij në Zveçan, pas dorëheqjes së serbëve nga strukturat policore në veri të vendit.
Babai i tre fëmijëve dy djemve dhe një vajze ishte me origjinë nga Samadrexha e Vushtrisë dhe vetëm para një jave mori mirënjohje për shërbimin e kryer në Policinë e Kosovës.
Humbja e Afrim Bunjakut ka ngjallur reagime të shumta dhe solidaritetin e shumë figurave të njohura në Shqipëri dhe Kosovë.
Miq dhe kolegë të Afrim Bunjakut e kanë cilësuar si një njëri të jashtëzakonshëm dhe me karakter të fortë, ndërsa sulmin nga serbët e armatosur e kanë cilësuar tinzar dhe ndër përplasjet më të forta me të cilat janë përballur ndonjëherë edhe në gjatë kohës së luftës.