Të shtëna me armë pas përplasjes mes dy qytetarëve në një qendër votimi në Fushë-Milot

Një incident është shënuar sot në Qendrën e Votimit nr. 0871, pranë shkollës 9-vjeçare “28 Nëntori” në Fushë-Milot, ku pas një përplasjeje mes dy qytetarëve janë raportuar edhe të shtëna me armë zjarri jashtë perimetrit të sigurisë së QV-së.

Të përfshirët në konflikt janë identifikuar si Kastriot Preng Perdoda dhe Asti Lleshi. Fillimisht, përplasja mes tyre nisi në formën e një debati verbal brenda perimetrit të sigurisë, por tensionet eskaluan dhe u zhvendosën jashtë zonës së kontrolluar, ku dëshmitarë kanë pohuar se janë dëgjuar të shtëna armësh.

Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa forcat e rendit kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje për të vënë situatën nën kontroll dhe për të hetuar rrethanat.

Ndërkohë, procesi i votimit në këtë qendër është rikthyer në normalitet.

Njoftimi i Policisë

Kurbin/Informacion paraprak

Në Fushë Milot, jashtë perimetrit të qendrave të votimit, ka ndodhur një konflikt verbal mes dy shtetasve, ku, sipas një telefonuesi, është dëgjuar një zhurmë e ngjashme si e shtëna me armë zjarri.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, ku nga këqyrja e vendit të ngjarjes nuk është gjetur asnjë gëzhojë apo send tjetër i kundërligjshëm.

Në vijim të veprimeve hetimore, janë identifikuar personat e përfshirë në konflikt, konkretisht shtetasit K. P. dhe A. Ll., dhe po punohet për lokalizimin dhe shoqërimin e tyre.

Procesi i votimit vazhdon normalisht në të gjitha qendrat e votimit dhe nga KQV-të apo Koordinatorët e sigurisë, nuk është kërkuar ndërhyrja e policisë.

Grupi hetimor, i ndodhur në vendngjarje, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.