Të shtëna me armë në Toronto, 12 të plagosur – autori ende në arrati

Një sulm me armë zjarri ka tronditur mbrëmjen e së premtes qytetin e Torontos në Kanada, duke lënë të plagosur të paktën 12 persona. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:39 (me orën lokale) pranë një pijetoreje në lagjen Scarborough.

Sipas autoriteteve, katër prej të plagosurve ndodhen në gjendje të rëndë, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka bërë të ditur se autori i dyshuar kishte veshur një kapuç të zi dhe është larguar me makinë nga vendi i ngjarjes. Forcat e rendit po vijojnë kërkimet për identifikimin dhe kapjen e tij, ndërsa ende nuk dihen motivet e sulmit.

Ngjarja ka shkaktuar shqetësim mes banorëve të zonës, ndërsa hetimet janë në vijim për të zbardhur rrethanat e plota të sulmit.