Të shtëna me armë në Fier, plagoset një grua që udhëtonte me motor! Autorët në kërkim
Një ngjarje e rëndë është shënuar mesditën e sotme në fshatin Sulaj të Fierit, ku një grua rreth 50 vjeç ka mbetur e plagosur nga të shtënat me armë zjarri. Sipas informacioneve paraprake, Suzana Mernica ka qenë duke udhëtuar me një motomjet së bashku me shtetasin Hysen Mërnica, kur dy persona kanë hapur zjarr në drejtimin e tyre.
E plagosura është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Fierit, ku po merr ndihmën mjekësore. Ende nuk ka të dhëna mbi gjendjen e saj shëndetësore.
Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se autorët janë identifikuar si Afrim Cimili dhe Ali Cimili të cilët janë shpallur në kërkim, ndërsa po punohet për kapjen e tyre. Deri më tani nuk dihet motivi i kësaj ngjarjeje dhe nëse Hysen Mërnica ka qenë objektivi i sulmit apo në shënjestër ishte gruaja.