Të shtëna me armë gjatë një operacioni në Kurbin, një i plagosur dhe disa të shoqëruar

Një operacion i Policisë Vendore të Lezhës në Kurbin ka degjeneruar në përplasje me armë zjarri gjatë natës. Gjatë aksionit, që kishte si qëllim kontrollet për armëmbajtje pa leje, efektivët janë përballur me rezistencë të armatosur.

Si pasojë e të shtënave, një person ka mbetur i plagosur dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, një person është arrestuar, ndërsa dy të tjerë janë shoqëruar në komisariat për t’u marrë në pyetje.

Policia ende nuk ka dhënë një njoftim zyrtar mbi detajet e operacionit dhe identitetin e të përfshirëve. Hetimet vijojnë për të zbuluar rrethanat dhe për të identifikuar të gjithë të përfshirët në incident.