Të shpallur në kërkim për masakrën e Dobraçit, vetëdorëzohen në polici Izmir Sakica dhe Samuel Troshani
Izmir Sakica dhe Samuel Troshani, të shpallur në kërkim për masakrën e Dobraçit, ku humbën jetën katër persona, janë vetëdorëzuar në Policinë e Shkodrës. Dy të rinjtë, të cilët dyshohen si autorë të krimit të rëndë, janë shoqëruar në polici nga avokati i tyre, Sokol Tahiri.
Ngjarja tragjike e ndodhur më 30 tetor 2024 në aksin rrugor “Shkodër-Koplik” la pas katër viktima: Hamza Lici, 23 vjeç, Arlind Bushati, 32 vjeç, dhe çiftin e pafajshëm të bashkëshortëve, Flutura dhe Bashkim Basha.
Sipas hetimeve, dy viktimat e shënjestruara, Lici dhe Bushati, po udhëtonin me një automjet tip “Audi A8” kur u zunë në pritë nga autorët, të cilët i sulmuan me breshëri plumbash. Pas sulmit, automjeti i tyre devijoi nga rruga, duke u përplasur me një motor ku ndodhej çifti Basha.
Përplasja rezultoi fatale për Flutura Bashën, e cila humbi jetën në vend, ndërsa bashkëshorti i saj, Bashkim Basha, u dërgua në spital në gjendje kritike, ku ndërroi jetë pas disa ditësh trajtim intensiv.
Pas atentatit, autorët shfaqën një nivel të lartë organizimi dhe profesionalizmi për të zhdukur çdo gjurmë që mund të ndihmonte hetuesit. Automjeti i përdorur nga atentatorët, një “Range Rover”, u shkrumbua plotësisht, duke u trajtuar më parë me acid. Ky veprim kishte për qëllim shkatërrimin e numrit të shasisë dhe çdo elementi tjetër identifikues. Pas trajtimit me acid, automjeti u dogj plotësisht për të mos lënë asnjë provë të vlefshme për hetimet.
Për shkak të dyshimeve se masakra është organizuar nga një grup i strukturuar kriminal, Prokuroria e Shkodrës ka shpallur moskompetencën për trajtimin e dosjes dhe ia ka kaluar çështjen Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Hetimet pritet të përqendrohen në zbardhjen e motiveve të ngjarjes, si dhe identifikimin e porositësve dhe bashkëpunëtorëve.