Të rinjtë po ktheheshin nga aeroporti – Detaje tronditëse nga aksidenti tragjik në Fushë Prezë
Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me aksidentin e rëndë që ndodhi pak para mesnate në Fushë Prezë, ku humbën jetën katër të rinj. Viktimat kishin qenë në Aeroportin e Rinasit për të pritur Enejd Laçin, i cili sapo ishte kthyer nga Gjermania.
Tragjedia ndodhi vetëm pak minuta pasi ata ishin nisur drejt banesave të tyre. Automjeti Benz, me të cilin po udhëtonin Enejd Laçi (25 vjeç), Erildi Laçi (20 vjeç), Enrikejd Kurti (24 vjeç) dhe Andi Laçi (22 vjeç), u përplas me një betoniere në zonën e Fushë-Prezës.
Si pasojë e goditjes, mjeti u përfshi nga flakët, duke i lënë viktimat të bllokuar brenda tij, pa mundur të shpëtojnë. Ndërkohë, shoferi i betonieres, Aleksandër Krrashi, 24 vjeç, pas aksidentit u largua nga vendi i ngjarjes, por u shoqërua më vonë nga policia.
Hetimet po vijojnë për të përcaktuar shkaqet e sakta të kësaj tragjedie që tronditi familjarët dhe mbarë opinionin publik.