“Të mos e vrasim për herë të dytë me hipokrizi dhe manipulime politike” – Prindërit e Martin Canit reagojnë për mbylljen e TikTok

Prindërit e Martin Canit, 14-vjeçarit që u vra me thikë nga një bashkëmoshatar, kanë reaguar ashpër ndaj përdorimit të tragjedisë së tyre për vendime politike. Engjëll dhe Florina Cani shprehen se vendimi për mbylljen e TikTok nuk ka lidhje me vdekjen e djalit të tyre dhe se Martini nuk kishte një llogari në këtë rrjet social.

Në një deklaratë publike, familja dënon përdorimin politik të vrasjes dhe thekson se shkaku i vërtetë i tragjedisë është mungesa e sigurisë në shkolla, dështimi i institucioneve dhe problemet në sistemin arsimor dhe shëndetësor.

“Martini nuk u vra nga TikTok, por nga një sistem që nuk garanton sigurinë e fëmijëve në shkolla,” thuhet në deklaratë. Prindërit akuzojnë institucionet për mosmarrjen e masave parandaluese, si dhe për neglizhencën e sistemit shëndetësor që vonoi trajtimin e djalit, duke e dërguar në spitalin më të largët në vend që ta çonte në QSUT, vetëm tre minuta larg.

Familja kërkon drejtësi për Martin Canin, duke theksuar se drejtësia ende nuk është vënë në vend, dhe refuzon që emri i djalit të përdoret për vendime që nuk adresojnë shkaqet e vërteta të kësaj tragjedie.

“Të mos e vrasim për herë të dytë me hipokrizi dhe manipulime politike,” përfundon deklarata e familjes Cani.