Të maskuar me kapuça dhe dorashka, vidhnin makina dhe dyqane në Vlorë, tre të arrestuar

Policia e Vlorës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Target 6”, duke zbardhur 5 raste të vjedhjes dhe 1 rast të tentativës për vjedhje në qytet. Si rezultat i hetimeve, u arrestuan shtetasit K. D., 30 vjeç, G. Ç., 28 vjeç dhe F. P., 30 vjeç, banues në Vlorë.

Të dyshuarit, të maskuar me kapuçë dhe duke përdorur dorashka e sende të forta, kanë kryer disa vjedhje:

•10 janar 2025: Vjedhje në një automjet në lagjen “Partizani” – syze me vlerë 400 euro dhe parfum 50 euro.

•13 janar 2025: Vjedhje stekash me cigare në një dyqan në lagjen “Partizani”.

•18 janar 2025: Vjedhje në lagjen “Hajro Çakërri” – 20 000 lekë dhe cigare me vlerë 80 000 lekë.

•19 janar 2025: Vjedhje 16 000 lekë në një market në lagjen “15 Tetori”.

•21 janar 2025: Vjedhje 30 000 lekë dhe cigare në një dyqan në lagjen “24 Maji”.

•21 janar 2025: Tentativë vjedhjeje në një subjekt financiar jobankar në lagjen “Lef Sallata”.

Policia ka sekuestruar si prova materiale sende të vjedhura, mjetet dhe veshjet e përdorura gjatë kryerjes së vjedhjeve.

Materialet hetimore i janë dorëzuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim. Hetimet për rastin po vijojnë.