Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj një komenti në faqen e tij në Facebook, ku një qytetar kishte shkruar: “Të ka ikur hunda shtrembër, vetëm ti mos fol për drogë”. Rama i është përgjigjur duke kujtuar një ngjarje të vitit 1997, kur siç thotë ai, ishte dhunuar rëndë dhe i ishte thyer hunda.
“Nuk e kam hundën e drejtë, është e vërtetë. Por nuk është për shkak të asaj që pretendon ti. Në vitin 1997, ndërsa po mblidhnim firma për dorëheqjen e qeverisë së asaj kohe, më dolën pritë poshtë pallatit, më rrahën me leva dhe doreza hekuri. Më lanë të mbuluar me gjak dhe më thyen hundën dhe kafkën,” – shkruan Rama.
Ai akuzoi partitë opozitare se po përdorin shpifje dhe lavazhe truri për të manipuluar qytetarët. “Kjo është ajo që partia juaj bën, shpif dhe ju përdor si topa balte. Nuk ka as program, as dinjitet, vetëm sharje dhe shpifje,” – shtoi ai.
Rama u bëri thirrje qytetarëve që të mos bien pre e “politikës së baltës” dhe të ruajnë dinjitetin e tyre. Sipas tij, opozita duhet të reflektojë dhe të ndërtojë një model më të respektuar për shoqërinë shqiptare.
“Respektoni veten, mos bini pre e këtij modeli politik që veç përçarje dhe sharje sjell. Sa më shumë njerëzit ruajnë dinjitetin e tyre, aq më shumë rriten shanset për një opozitë të vërtetë, me program dhe integritet,” – përfundoi Rama.