“Të jemi falënderues dhe solidarë” – Mesazhi i myftiut të Korçës H. Ledian Cikalleshi për Kurban Bajramin 2025
Në prag të Festës së Kurban Bajramit, myftiu i Korçës, H. Ledian Cikalleshi, ka përcjellë një mesazh urimi për të gjithë besimtarët myslimanë të Qarkut të Korçës. Ai thekson rëndësinë shpirtërore të kësaj feste, simbolikën e sakrificës, falënderimit ndaj Zotit dhe domosdoshmërinë për solidaritet dhe mëshirë ndaj njerëzve në nevojë. Myftiu ka sqaruar gjithashtu rregullat e kurbanit, vlerën e agjërimit të ditës së Arafatit dhe oraret e ceremonisë së faljes në qytetin e Korçës.
MESAZHI I MYFTIUT TË KORÇËS H. LEDIAN CIKALLESHI
ME RASTIN E FESTËS SË KURBAN BAJRAMIT 2025 / 1446
Bismilahi Rrahmani Rrahim
Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
Të nderuar besimtarë myslimanë të Qarkut të Korçës, motra dhe vëllezër!
Më lejoni që në këtë prag feste të Kurban Bajramit t’ju përcjell urimet më të përzemërta. Paqe, lumturi dhe gëzim sjelltë kjo festë në familjet tuaja!
Kurban Bajrami është një nga dy festat e mëdha që bashkon zemrat e myslimanëve në mbarë botën. Ajo na sjell ndërmend sakrificën e Ibrahimit (a.s.) dhe nënshtrimin e Ismailit (a.s.) ndaj Zotit të botëve, si dhe raportin e duhur prind-fëmijë. Të bëhemi falënderues për të gjitha mirësitë dhe begatitë që i kemi dhuratë nga Zoti ynë dhe të tregohemi bujarë, duke u solidarizuar me njerëzit në nevojë.
Motra dhe vëllezër!
Simbolika e kësaj dite është kurbani. Për kurban mund të bëhet delja, dhia ose lopa, duke ju përmbajtur kushteve të kurbanit. Ndërsa kafshët e tjera si pula, këndezi etj. nuk hyjnë në kategorinë e kurbanit. Kush i ka mundësitë ekonomike, le të bëjë kurban një shqerrë si shenjë mirënjohjeje ndaj Zotit, të ushqejë familjen e tij dhe t’u shpërndajë edhe të tjerëve, ashtu si është edhe porosia e Profetit Muhamed (s.a.v.).
Të nderuar besimtare dhe besimtarë!
Sot është dita e Arafatit, kur haxhinjtë në Mekë mblidhen në zonën e Arafatit për t’u lutur. Besimtarët e tjerë mund të agjërojnë këtë ditë dhe Profeti (a.s.) na lajmëron se shpërblimi i agjërimit të kësaj dite është se falen gjynahet e një viti më parë dhe vitit të ardhshëm. Kush e ka kaluar agjërueshëm këtë ditë, lus Allahun t’ia pranojë dhe t’ia mundësojë shpërblimin!
Ndërsa festa e Kurban Bajramit është nesër, ditën e premte, më 6 qershor 2025.
Ceremonia e faljes së namazit të Kurban Bajramit për qytetin e Korçës do të zhvillohet para oborrit të xhamisë së vjetër “Iljas Bej Mirahori”, ndërsa në zonat e tjera në xhamitë përkatëse.
Namazi i Bajramit për të gjitha xhamitë do të falet në orën 06:45.
Janë të mirëpritur të gjithë besimtarët – burra dhe gra, fëmijë e të moshuar – të marrin pjesë në ceremoninë e faljes së Bajramit, e cila fillon në orën 06:15 me ligjërata dhe kulmon me faljen e namazit të Bajramit në orën 06:45.
I lutem Zotit të Madhëruar që kjo festë të sjellë në shtëpitë tuaja më shumë mirësi, afrimitet dhe dashuri mes njëri-tjetrit.
Gëzuar dhe për shumë vjet Kurban Bajramin!
(Ceremonia e pritjes dhe urimeve do të zhvillohet në ambientet e Myftinisë Korçë mes orës 10:00 – 12:00.)
Korçë, më 05.06.2025