“Të fus në listë/ Tensione në gjykatë për “Plumbin e artë” – Avokati i Besian Xhixhës braktis sallën: Nuredin Dumani më kërcënoi…

Seanca gjyqësore për dosjen e bujshme “Plumbi i Artë” është shoqëruar me tensione të forta këtë të mërkurë, pasi avokati Ilirian Dyzeni, mbrojtës i të pandehurit Besian Xhixha, ka braktisur sallën duke akuzuar të penduarin e drejtësisë Nuredin Dumanin për kërcënim të drejtpërdrejtë.

Në mes të seancës, avokati Dyzeni ngriti zërin dhe deklaroi me tone të ashpra:

“Nuk toleroj mua të më kërcënojë dikush në sallë dhe prokurori të mos reagojë. Nuk mund të më bëjë ai presion mua. Nuk dëgjoj unë atë të më thotë ‘të fus në listë, je në ofertë’.”

Pas këtij momenti, avokati u largua nga seanca, ndërsa situata shkaktoi kaos dhe tension të përkohshëm në sallën e gjyqit. Gjykata urdhëroi punonjësit e policisë të largojnë nga salla të penduarin Dumani, duke ndërprerë për disa minuta zhvillimin e seancës.

Avokati kërkoi ndërhyrjen e prokurorit të çështjes dhe marrjen e masave të menjëhershme ndaj Nuredin Dumanit, i cili është një nga dëshmitarët kyç në këtë proces dhe ka dhënë rrëfime të bujshme për veprimtarinë e disa grupeve kriminale në vend.