Të frymëzuar nga legjenda e Rozafës, Shkodra Elektronike sonte në Eurovision me këngën “Zjerm”
Pak orë para gjysmëfinales së parë të Eurovision 2025, përfaqësuesit e Shqipërisë, grupi Shkodra Elektronike, janë gati të ngjiten në skenë me këngën në shqip “Zjerm”, një nga më të veçantat e këtij edicioni.
Grupi, i përbërë nga Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca, tregoi për gazetarët në sallën e shtypit emocionet dhe sfidat e përfaqësimit të Shqipërisë në këtë festival madhështor. Në një moment humoristik, dyshja u përgjigj me buzëqeshje ndaj kritikëve që thonë se kënga e tyre “në një botë të drejtë” duhet të fitojë këtë vit dhe të sjellë Eurovisionin në Shqipëri në 2026.
“Kënga jonë ka të bëjë pikërisht me këtë, me një minutë të një bote të drejtë. Shpresojmë që ajo minutë të vijë edhe te ne”, tha Kolë Laca.
Ai kërkoi mbështetjen e veçantë të publikut italian, duke kujtuar se të dy kanë kaluar një pjesë të madhe të jetës së tyre në Itali dhe ndihen shumë të lidhur me këtë vend.
Nga ana tjetër, Beatriçe zbuloi se kostumet e tyre janë frymëzuar nga legjenda e Rozafës, një simbol i sakrificës dhe qëndresës shqiptare. Sipas legjendës, Rozafa u sakrifikua për ndërtimin e kalasë së Shkodrës, duke kërkuar që një pjesë e trupit të saj të mbetej jashtë për të ushqyer fëmijën e saj.
Shkodra Elektronike u formua në vitin 2018 dhe është bërë e njohur për këngë si “Ku e gjeta vedin” dhe “Synin si Qershia”. Muzika e tyre është një kombinim unik i popit elektronik dhe motiveve tradicionale shqiptare.
Eurovision 2025 po zhvillohet në Bazel, Zvicër, dhe Shkodra Elektronike do të performojë në natën e parë të gjysmëfinales, duke shpresuar të sigurojë një vend në finalen e madhe.