Të dyshuar vëllai dhe motra, dënohet me burg të përjetshëm vrasësi i boksierit Besar Nimani

Gjykata Rajonale e Bielefeldit ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me burgim të përjetshëm 34-vjeçarin Huseyin A., për vrasjen e boksierit të njohur, Besar Nimani.

Vendimi u dha të martën, shkruan “Radio Bielefeld”. Megjithatë, aktgjykimi ende nuk është përfundimtar dhe mund të apelohet në Gjykatën Federale në Karlsruhe brenda një jave.

Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë për shqiptimin e dënimit maksimal ndaj Huseyin A., i cili ishte arrestuar në korrik të vitit të kaluar.

Nimani nuk bëri rezistencë në momentin kur u qëllua me gjithsej 15 plumba nga dy persona të armatosur, në një ngjarje tronditëse që ndodhi në qytetin Bielefeld më 9 mars të vitit 2024.

Personi i dytë i dyshuar për vrasje, Aymand Dawoud Kirit, është ende në arrati. Autoritetet kanë lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar për kapjen e tij.

Drama vazhdoi edhe gjatë procesit gjyqësor. Më 26 shkurt të këtij viti, në përfundim të një seance në gjykatë, ndodhën të shtëna pranë ndërtesës, ku mbetën të plagosur dy familjarë të të dënuarit.

Vëllai dhe motra e të ndjerit Nimani u dorëzuan në polici, pasi ishin shpallur në kërkim si të dyshuar për këtë incident.