Të dyshuar se ekzekutuan Ramazan Matja, burg për dy vëllezërit

Arjon Hasaj dhe Klisman Hasaj mbeten në burg, pasi Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për dy vëllezërit, të dyshuar si autorë të vrasjes së 33-vjeçarit Ramazan Mataj, ngjarje e ndodhur në fshatin Dragoç të Pogradecit më 4 janar 2025.

Dy vëllezërit në seancën gjyqësore nuk kanë deklaruar asgjë. Ndërsa avokati mbrojtës i tyre ka kërkuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Klisman Hasaj, ndërsa për Arjon Hasaj “arrest në burg”.

Nga akt-ekspertimi i kryer nga grupi hetimor ka rezultuar se çështja është e mbyllur dhe janë faktuar plotësisht të gjitha dinamika e ngjarjes, duke e identifikuar Arjon Hasajn si organizator dhe autor të vrasjes, ndërsa vëllai i tij, Klisman Hasaj, nuk ka qenë i përfshirë fare në ngjarje.

Nga të dhënat e akt-ekspertimit balistik ka rezultuar se është e njëjta armë, e gjetur në oborrin e shtëpisë, me të cilën është qëlluar për vdekje Ramazan Mataj. Gjithashtu janë zbërthyer edhe telefonat e Ramazan Matajt dhe të Arjon Hasajt, si dhe të Klisman Hasajt, ku ky i fundit ka rezultuar se nuk kishte dijeni për ngjarjen dhe planin e vëllait të tij për të eliminuar Ramazan Matajt.

Para gjykatës nuk kishte asnjë familjar të vëllezërve Hasaj, pasi mësohet se ata janë të ngujuar për shkak të traditës zakonore, por edhe për frikën e gjakmarrjes.

Arjon Hasaj, më 6 janar 2025, është arrestuar nga policia dhe para hetuesve ka pranuar vrasjen e Ramazan Matajt, pasi ky i fundit kishte pasur një lidhje dashurie me motrën e tyre, dhe si shkak i kësaj lidhjeje, ishte divorcuar dy herë. Ai gjithashtu ka shpërndarë video intime të motrës në rrethin e tij shoqëror. Pavarësisht se i ishte kërkuar të qëndronte larg motrës së tij dhe të mos fliste dhe shpërndante materiale të tilla, viktima ka vazhduar t’i bëjë këto veprime, duke shkaktuar kështu planifikimin e vrasjes së Ramazan Matajt nga Arjon Hasaj, 29 vjeç, baba i katër fëmijëve.