Të dhënat e hapura, Komisioneri Dervishi: Rrisin transparencën, nxisin inovacionin dhe zhvillimin

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në bashkëpunim me projektin e Bashkimit Evropian për Qeverisjen e Mirë, organizoi një tryezë diskutimi me përfaqësues të institucioneve publike dhe sipërmarrjeve shtetërore mbi “Kuptimin dhe zbatimin e ligjit për të dhënat e hapura dhe ripërdorimin e informacionit në sektorin publik”.

Gjatë fjalës së tij, Komisioneri Besnik Dervishi theksoi rëndësinë e administrimit dhe publikimit të të dhënave publike përmes portalit të integruar opendata.gov.al, si një mjet për të rritur transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve shtetërore.

“Sasia e të dhënave publike në vend është rritur ndjeshëm. Kur këto të dhëna janë të hapura për ripërdorim, ato i shërbejnë transparencës, mirëqeverisjes, kërkimit shkencor dhe zhvillimit të ekonomisë përmes zgjidhjeve inovatore,” theksoi Dervishi.

Ai nënvizoi se kultura e mbylljes së të dhënave brenda institucioneve publike duhet të ndryshojë, pasi hapja e të dhënave është tashmë e detyrueshme me ligj. “Përfitimet tejkalojnë rreziqet që mund të vijnë nga keqpërdorimi ose keqinterpretimi i informacionit,” shtoi ai.

Komisioneri vuri në dukje gjithashtu se të dhënat e hapura shërbejnë për:
• Rritjen e transparencës në qeverisje
• Nxitjen e inovacionit dhe përmirësimin e proceseve vendimmarrëse
• Shtimin e përfshirjes së qytetarëve në vendimmarrje
• Përmirësimin e shërbimeve publike
• Reduktimin e pabarazisë dhe nxitjen e përfshirjes sociale

Ai theksoi se zbatimi i ligjit kërkon bashkëpunimin e të gjitha institucioneve publike dhe përfitimin e ekspertizës së Bashkimit Evropian, për të sjellë përfitime të prekshme jo vetëm për qytetarët, por edhe për vetë administratën publike.

Përfaqësuesit e projektit të BE-së për Qeverisjen e Mirë vlerësuan miratimin e ligjit të ri për të dhënat e hapura, duke e cilësuar atë të përafruar me direktivat evropiane. Ata theksuan rëndësinë e implementimit të suksesshëm të tij dhe rritjes së ndërgjegjësimit tek përdoruesit, duke premtuar mbështetje të vazhdueshme për Zyrën e Komisionerit.

Ligji për të dhënat e hapura parashikon krijimin e një portali qendror, opendata.gov.al, që do të bashkojë katalogët e të dhënave të hapura të institucioneve publike dhe sipërmarrjeve shtetërore. Ky portal synon të thjeshtojë aksesin dhe përdorimin e të dhënave, duke ndihmuar individët dhe organizatat të përfitojnë në mënyrë maksimale.

Ky ligj pritet të sjellë përfitime të shumta për sektorin publik, bizneset, shoqërinë civile dhe qytetarët, duke mundësuar zgjerimin e shërbimeve digjitale dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik bazuar në të dhënat publike.