Të dënuar për grup kriminal dhe shfrytëzim prostitucioni, bien në pranga dy shqiptarë me rrezikshmëri të lartë – kishin dy identitete

Dy shtetas shqiptarë, të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, janë arrestuar brenda 12 orëve në kuadër të një operacioni të gjerë policor të koduar “Operacionalja”, i zhvilluar në disa qytete të vendit. Të dy të ndaluarit rezultojnë me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe janë dënuar me vite të tëra burg për vepra të rënda penale si përfshirje në organizatë kriminale, trafikim të lëndëve narkotike, shfrytëzim prostitucioni dhe vjedhje të rëndë.

I pari që ra në pranga ishte Klodian Llomi, i njohur edhe me mbiemrin Mazari, 34 vjeç, banues në Maqellarë, Dibër. Ai është dënuar në vitin 2023 nga Gjykata e Apelit në Romë me 6 vjet, 7 muaj e 2 ditë burg, për veprat penale “Organizatë kriminale”, “Trafikim të lëndëve narkotike” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”. Arrestimi i tij u realizua në fshatin Kërçisht i Poshtëm, ku u shoqërua edhe me rezistencë të dhunshme nga familjarët e tij.

Në një fazë tjetër të operacionit, policia arrestoi në Fushë-Krujë shtetasin Roland Ibrahimi, i njohur edhe me emrin Ali Meci, 40 vjeç, banues në Laç. Ky person ishte dënuar nga Gjykata e Torinos në vitin 2024 me 4 vjet e 3 muaj burg, për veprat “Organizatë kriminale”, “Grup kriminal” dhe “Vjedhje e rëndë”.

Të dy të arrestuarit do të ekstradohen drejt Italisë për të vuajtur dënimet e dhëna nga drejtësia e atij vendi.