“Të bëhemi bashkë si 5 gishtat e dorës”/ Rama nga sheshi “Skënderbej”: Braktisni profetët e rremë, Shqipëria të vendosë kurorën europiane
Kryeministri dhe kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka dhënë mesazhe të forta bashkimi dhe orientimi drejt integrimit europian në hapjen zyrtare të fushatës elektorale të PS-së. Nga sheshi “Skënderbej”, Rama u bëri thirrje qytetarëve që të mos ndjekin më “profetët e rremë” dhe të bashkohen për një qëllim të përbashkët: përparimin e Shqipërisë.
“U bëj thirrje shqiptare e qytetare nga ky shesh, ku nuk ka flamur tjetër përveç atij më të bukurit në botë,” tha Rama. “Të bëhemi bashkë si pesë gishtat e kësaj dore, për t’i dhënë ngjyrat që do Europa.”
Në vijim, ai theksoi rëndësinë e datës 16 maj, ku Tirana do të presë liderët më të lartë europianë për një samit të rëndësishëm.
“Do të ngrejnë tendën këtu në këtë shesh. Do të ulen në sofër të gjithë udhëheqësit e Europës. Le t’u tregojmë mikpritjen më të mirë. Prandaj t’i lëmë llogoret dhe fanellat e tifozllëkut, të ngrihemi në lartësinë e duhur, që porta e hapur e Europës të mos mbyllet,” deklaroi ai.
Rama u shpreh se Shqipëria duhet të ecë me dinjitet drejt së ardhmes europiane dhe t’i japë fund politikave të ndërtuara mbi premtime boshe dhe populizëm.
“Braktisni profetët e rremë, qëniet që premtojnë gjëra madhështore,” tha ai. “Sot është koha për këtë besim të lartë, sot është dita për Shqipërinë që të vendosë kurorën europiane.”
Në fund të fjalës së tij, Rama përmendi edhe figurën e heroit kombëtar, duke thënë: “Skënderbeu na qoftë udhërrëfyes, në atë këndin e Europës që na pret.”