Të afërmit e Agron Kapllanajt sulmojnë agjentët e BKH-së dhe forcat operacionale, arrestohen 3 persona në Fier
Një incident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së martës në Fier, ku forcat operacionale të Policisë së Shtetit dhe agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) janë përballur me dhunë nga të afërm të Agron Kapllanajt. Si pasojë e ngjarjes, tre persona janë vënë në pranga për akuzën e “goditjes për shkak të detyrës”.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 19:20 në aksin rrugor Fier – Patos, ku shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe hetuesit e BKH-së po zhvillonin veprime hetimore në kuadër të një dosjeje penale. Gjatë operacionit, ata janë sulmuar nga disa persona të cilët, sipas burimeve, janë të afërm të Agron Kapllanajt.
Personat e përfshirë në konflikt janë identifikuar dhe menjëherë janë shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, ku ndaj tyre janë kryer veprimet procedurale përkatëse. Policia bëri me dije se të gjitha hetimet dhe procedurat ligjore janë duke u ndjekur nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm në Fier.
Njoftimi i Policisë
“Shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, së bashku me hetuesit e BKH-së pasditen e sotme kanë qenë me shërbim në qarkun e Fierit.
Rreth orës 19:20, të mbrëmjes së sotme, në aksin rrugor Fier – Patos, shërbimet operacionale të Policisë dhe hetuesit e BKH-së janë goditur për shkak të detyrës nga disa persona, të cilët janë identifikuar dhe shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier për veprimeve të mëtejshme.