Taulant Balla merr detyrën e re, betohet para Presidentit të Republikës si Ministër i Brendshëm
Dy ditë pasi mori miratimin nga Parlamenti, Taulant Balla është betuar sot para Presidentit të Republikës si Ministër i Brendshëm.Kuvendi miratoi të enjten dekretin e Presidentit të Republikës për emërimin e Taulant Ballës në postin e ministrit të Brendshëm, me 75 vota pro, 16 kundër, 1 abstenim.
Balla është një ndër zërat më të fortë të mazhorancës në Kuvend, ku ka përballuar pothuajse i vetëm betejat me opozitën, të cilat shpesh kanë përfunduar edhe ne gjykatë dhe Balla ka dalë fitues për akuzat ndaj tij.
Njëkohësisht, ai u emërua Kryetar i Delegacionit të Parlamentit të Shqipërisë në Parlamentin Europian dhe Zëvendës Kryetar i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian. Pas dorëheqjes së Gramoz Ruçit, Balla u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i Partise Socialiste post të cilin e mbajti deri pas zgjedhjeve të vitit 2021, ku u zëvendësua nga Damian Gjiknuri.
Balla është deputet i Qarkut te Elbasanit dhe drejtues politik për Partine Socialiste në Qarkun Fier. Më herët ka drejtuar qarkun e Elbasanit ku ka marrë edhe rezultatin më të mirë elektoral në zgjedhjet e vitit 2017 dhe 2021 si për socialistët por edhe vetë si deputet rezultoi më i votuari në rang kombëtar.