Tarifat e vendosura nga Trump ndaj produkteve të importit, paralajmëron Kina: Nëse SHBA dëshiron luftë tregtare ose çfarëdolloj tjetër, jemi gati

Kina i është përgjigjur presidentit Donald Trump për vendimin e tij për të vendosur tarifa ndaj produkteve kineze që hyjnë në SHBA.

Ambasada kineze në SHBA, përmes një postimi në “X”, tha se për Washingtonin gjëja e duhur do të ishte të konsultohej me Kinën si partnerë të barabartë, para se të ndërmerren këto masa.

Gjithashtu Kina paralajmëroi se: “Nëse SHBA dëshiron luftë, qoftë ajo një luftë tarifash, një luftë tregtare apo çfarëdo lloj lufte, ne jemi gati të luftojmë deri në fund”.

Në deklaratën e tij, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze e përshkroi thirrjen e SHBA-së ndaj çështjes së fentanilit për të rritur tarifat ndaj produkteve kineze si një “arsyetim modest”.

“Kundërmasat tona për të mbrojtur të drejtat dhe interesat tona janë absolutisht legjitime dhe të nevojshme. SHBA-ja, jo dikush tjetër, është përgjegjëse për krizën e fentanilit brenda vendit. Në frymën e humanizmit dhe vullnetit të mirë ndaj popullit amerikan, ne kemi ndërmarrë hapa të fortë për të ndihmuar Shtetet e Bashkuara në adresimin e çështjes”, shtoi ai në deklaratën e tij.

Ai tha më tej se sipas tij, SHBA-të po përpiqen t’ja hedhin fajin Kinës dhe po kërkojnë të bëjnë presion dhe shantazh ndaj Kinës me rritjen e tarifave.

“Në vend që të njohin përpjekjet tona, SHBA-të po përpiqen të shpifin dhe ia hedhin fajin Kinës dhe po kërkojnë të bëjnë presion dhe shantazh ndaj Kinës me rritjen e tarifave. Ata po na dënojnë që i ndihmojmë. Kjo nuk do të zgjidhë problemin e SHBA-së dhe do të dëmtojë dialogun dhe bashkëpunimin tonë në luftën kundër drogës. Bullizmi nuk na tremb. Ngacmimi nuk funksionon me ne. Presioni, shtrëngimi ose kërcënimet nuk janë mënyra e duhur për t’u marrë me Kinën. Kushdo që përdor presionin maksimal ndaj Kinës po zgjedh ‘llojin e gabuar’ dhe bën një llogaritje të gabuar”, përfundoi në deklaratën e tij zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze.