Tarifat e Trump tronditin tregjet europiane, bursat mbyllin ditën me mbi 4% rënie
Pasojat e politikave tarifore të presidentit amerikan Donald Trump kanë kaluar Atlantikun, duke shkaktuar një ditë të zezë për tregjet kryesore në Europë.
Të gjitha bursat më të mëdha europiane u mbyllën me mbi 4% rënie, në një atmosferë të ngarkuar me pasiguri ekonomike. Indeksi britanik FTSE 100, i cili përfshin firmat më të mëdha të listuara në Mbretërinë e Bashkuar, ra me 4.4%. Po ashtu, Dax-i gjerman humbi 4.1%, ndërsa indeksi francez Cac 40 pësoi një rënie edhe më të madhe, me 4.8%.
Vetëm pesë tregje europiane e përfunduan ditën me fitime të lehta, ndërsa në mesin e pak kompanive që patën rritje ishte edhe firma meksikane e minierave Fresnillo, e cila u rrit me 1.3%.
Ekspertët theksojnë se rënia e tregjeve reflekton shqetësimet për ndikimin e thellë të tarifave në fitimet e bizneseve në mbarë industrinë. Me investitorët që nxitojnë të shesin aksione, frika kryesore është se firmat do të detyrohen të rrisin çmimet për të kompensuar humbjet, duke ndikuar negativisht mbi punëtorët dhe konsumatorët.
Rënia e tregjeve tregon një sinjal alarmi për efektin zinxhir të politikave tarifore dhe rrezikun që i kanoset stabilitetit ekonomik global.