“Tani botën e drejtoj unë” – Presidenti Trump në një intervistë të rrallë: Askush nuk më ndalon
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka dhënë një intervistë të rrallë për revistën “The Atlantic”, ku u shfaq i vendosur dhe i sigurt në rolin e tij, duke deklaruar se tani “drejton botën” dhe “askush nuk mund ta ndalojë”.
Intervista u shënua nga një episod i pazakontë: kryeredaktori i “The Atlantic”, Jeffrey Goldberg, pa dashur u përfshi në një diskutim të brendshëm të zyrtarëve të lartë amerikanë për një operacion ushtarak kundër terroristëve Houthi, duke nxitur më tej polemika rreth administratës Trump.
Megjithatë, siç raportojnë edhe gazetarë të tjerë që morën pjesë në intervistë, Trump u shfaq i hapur dhe i gatshëm të bënte një “pazar” me median: nëse shkrimi i tyre do t’i pëlqente, ai do të pranonte të fliste sërish me ta.
I pyetur nëse po e shijon më shumë presidencën në mandatin e tij të dytë, Trump tha pa hezitim:
“Po, po argëtohem shumë, duke marrë parasysh seriozitetin e punës sime. Herën e parë kisha dy qëllime: të mbijetoja dhe të drejtoja vendin. Kisha përballë shumë njerëz të korruptuar. Tani, herën e dytë, po drejtoj vendin dhe botën. Askush nuk mund të më ndalojë.”
Një tjetër temë e diskutuar ishte edhe zëri se Trump mund të kërkojë një mandat të tretë. I pyetur drejtpërdrejt, ai fillimisht e mohoi, por la të hapur një shteg, duke bërë edhe ironi me normat demokratike:
“Ky do të ishte një shkatërrim i madh për demokracinë, apo jo? Epo, ndoshta po përpiqem të shkatërroj ato norma demokratike për të cilat flitet kaq shumë. Por në fakt, unë kam parë se ato janë zvogëluar vit pas viti.”
Trump pranoi se shumë mbështetës i kërkojnë që të kandidojë edhe për një mandat të tretë, por shtoi se një gjë e tillë do të ishte “shumë e vështirë për t’u realizuar” dhe nuk është diçka që aktualisht po e konsideron seriozisht.