Talebanët ekzekutojnë publikisht katër burra në një stadium të mbushur me njerëz
Katër burra të dënuar për vrasje u ekzekutuan sot publikisht në Afganistan, duke e çuar në dhjetë numrin e ekzekutimeve të kryera që nga kthimi në pushtet i talebanëve në vitin 2021. Ekzekutimet u realizuan në stadiume të mbushura me mijëra njerëz, si pjesë e një politike të ndjekur nga regjimi taleban për të zbatuar ligjin islamik të “qisas” (hakmarrja).
Dy burra u ekzekutuan para 20,000 personave në stadiumin e Qala-i-Naw, kryeqyteti i provincës Badhghis, ndërsa një tjetër u ekzekutua në Zaranj, kryeqyteti i provincës Nimroz. Personi i katërt u ekzekutua në provincën Farah. Ky ishte numri më i madh i ekzekutimeve të kryera në një ditë që nga 2021.
Në të katër rastet, familjet e viktimave refuzuan të falnin të dënuarit, duke i dhënë mundësinë të qëllonin mbi ta. Ekzekutimet u miratuan nga udhëheqësi suprem taleban, Emir Haibatullah Akhundzada.
Këto ekzekutime vijnë pas një periudhe relativisht të qetë, pasi numri i ekzekutimeve publike kishte rënë që nga kthimi i talebanëve në pushtet, megjithëse talebanët vazhdojnë të zbatojnë dënime të tjera publike si fshikullime për krime të ndryshme. Akhundzada kishte deklaruar në vitin 2023 se zbatimi i ligjit islamik ishte një “përgjegjësi deri në vdekje”.