“Takimi më prekës dhe mallëngjyes” – Berisha me shqiptarët në Athinë: Jeni bërë faktor i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik në Greqi

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me diasporën shqiptare në Athinë, ka shprehur mirënjohjen e tij të thellë për kontributin e emigrantëve shqiptarë në Greqi.

Në fjalën e tij, Berisha e cilësoi këtë takim si një nga më prekësit dhe më mallëngjyesit që ka përjetuar. “Është nder i madh të përshëndes sot nga kjo sallë shqiptarët në Athinë. Ju përcjell përshëndetjet më të zjarrta për çdo shqiptar që jeton në katër anët e Greqisë dhe më gjerë,” u shpreh ai.

Berisha vlerësoi mikpritjen që qytetarët grekë u kanë bërë shqiptarëve ndër vite, duke theksuar se Athina është sot një ndër qytetet me numrin më të madh të shqiptarëve jashtë Shqipërisë. “Athina ka treguar zemrën më të hapur dhe bujarinë më të madhe ndaj shqiptarëve,” tha ai.

Duke kujtuar sakrificat e emigrantëve, Berisha shtoi: “Ju sfiduat çdo gjë, çdo mashtrim dhe dezinformim, për të ndërtuar një jetë më të mirë në këtë vend të panjohur. Me punën dhe përkushtimin tuaj, u shndërruat në një faktor të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik të Greqisë.”

Në vijim, Berisha theksoi edhe ndikimin kulturor të komunitetit shqiptar në Greqi, duke përmendur figura të njohura si Melina Mërkuri dhe Irana Papas, ndërsa shprehu besimin se shqiptarët do të vazhdojnë të japin kontribute të rëndësishme në të dyja vendet.

Gjatë fjalimit, ai kujtoi gjithashtu marrëdhëniet historike të Partisë Demokratike me politikën greke, duke përmendur mbështetjen e parë që PD mori nga ish-kryeministri grek Konstandin Mitsotakis, i cili ishte lideri i parë që takoi opozitën shqiptare pas viteve ’90.

“Mirënjohja ime për ju është e pakufishme. Ju nuk ndihmuat vetëm veten dhe familjet tuaja, por edhe investimet dhe ndryshimin e Shqipërisë,” përfundoi Berisha, mes ovacioneve dhe duartrokitjeve të ngrohta nga të pranishmit.