Takimi Kurti-Vuçiç në Bruksel, analistët skeptikë: Të pakta mundësitë për një përparim
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, takohen të enjten në Bruksel, mes tensionesh të larta që po vazhdojnë që nga muaji maj kur kryetarët shqiptarë të komunave veriore që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit të bojkotuara nga serbët, u dërguan në zyrat e komunave me mbështetjen e policisë.
I dërguari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, i tha Zërit të Amerikës se pret nga palët t’i marrin seriozisht detyrimet e dala nga marrëveshja gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, dhe të fillojnë përmbushjen e tyre.
Analistë shqiptarë e serbë me të cilët bisedoi Zëri i Amerikës i shohin të pakta mundësitë për një përparim në bisedime, meqë sipas tyre, asnjëri nga udhëheqësit e të dyja vendeve nuk ka dhënë shenja për ndryshim qëndrimesh.
Analisti Rrahman Paçarizi tha se palët duhet t’i përmbushin kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare që nga shtensionimi i situatës në veri të Kosovës e deri te zbatimi i marrëveshjeve.
“Këtë takim duhet ta shohin si mundësi dhe jo si presion dhe duke parë si mundësi mendoj se do çlirohen nga ngarkesat me të cilat e kanë ngarkuar veten dhe t’i implementojnë ato për të cilat janë zotuar, sepse vetëm në këtë mënyrë do të tregohen partner të besueshëm para bashkësisë ndërkombëtare”, tha zoti Paçarizi.