Takimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ilir Proda me shefat e komisariateve/ Zbulohet porosia e veçantë
Zbardhen detaje të reja nga takimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ilir Proda me drejtuesit e komisariateve dhe Policisë së Tiranës në takimin e zhvilluar mbrëmjen e së dielës që kishte në fokus masat për protestën e opozitës, e cila mbahet sot në orën 18:00. Opozita e konsideron protestën mosbindje civile.
Pasditen e të dielës, një ditë para protestës drejtori i përgjithshëm i policisë Ilir Proda ka takuar drejtorin e Tiranës, Tonin Vocaj dhe shefat e komisariateve në kryeqytet. Në fokus kanë qenë masat e ndërmarra para, gjatë dhe pas tubimit. Që prej pasdites së djeshme policia ka kaluar në gatishmëri. Një nga porositë e Prodës ësjtë kontrolli për personat e dhunshëm që marrin pjesë në protesta. Ndërsa efektivëve u është kërkuar të mos provokohen nga dhunuesit.
“Mos u provokoni nga protestuesit. Nderhyrjet të jenë të minimizuara vetëm në raste nevoje, mos të krijohen perplasje të provokuara. Ruani qetësinë dhe godinat e institucioneve. Kujdes listat me emrat e personave që kanë precedentë të mbahen nën vëzhgim. Të filmohen dhe dokumentohen të gjitha veprimet e dhunshme dhe të jashtëligjshme të kryera nga protestuesit”, ka qenë një nga porositë e Prodës.