Takimet me krerët e drejtësisë, Robinson: Shqiptarët po bëjnë hapa të guximshëm për të nisur reforma të vështira
Ndihmëssekretari amerikan për Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit në SHBA, Todd D. Robinson po zhvillon një vizitë në Shqipëri.
Ambasada e SHBA në Tiranë bëri të ditur sot se, “në një pritje me gjyqtarë, prokurorë, hetues shqiptarë dhe drejtues të agjencive ligjzbatuese në Shqipëri, Ndihmës Sekretari Todd Robinson falënderoi partnerët tanë shqiptarë për guximin dhe përkushtimin e tyre për zbatimin e ligjit, transparencën, si dhe dhënien fund pandëshkueshmërisë”.
Ai nënvizoi rëndësinë e një drejtësie të pavarur për Shqipërinë teksa ajo lufton krimin dhe korrupsionin.
“Sot shqiptarët po bëjnë hapa të guximshëm për të nisur reforma të vështira. Dhe unë dua që të gjithë ju ta dini se unë dhe kolegët e mi në Uashington e njohim punën tuaj të palodhur.
Por si çdo punë tjetër e vështirë për forcimin e demokracisë dhe rritjen e llogaridhënies, është një rrugë e gjatë dhe e vështirë.
Dhe unë do t’ju nxisja, e para, të dini se po sillni ndryshim dhe, e dyta, të mos dorëzoheni, të vazhdoni…”, theksoi Robinson.