Takim në ambasadën e Britanisë/ Dumani, Çela dhe Celibashi diskutojnë hetimet për krimet zgjedhore

Kryeprokurori Special, Altin Dumani, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, dhe Komisioneri Publik i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, zhvilluan një takim në Ambasadën e Britanisë në Tiranë, ku diskutuan lidhur me hetimet për krimet zgjedhore.

Në një njoftim të ambasadës, u bë e ditur se takimi kishte si qëllim informimin e ambasadorëve mbi strategjinë për hetimin dhe parandalimin e krimeve zgjedhore, e publikuar për vitin 2025. Sesioni informues mbuloi qasjet kolektive dhe individuale të institucioneve për hetimin e shkeljeve zgjedhore, duke përfshirë strategjinë për zbutjen e rreziqeve të mundshme në procesin zgjedhor të ardhshëm.

Ambasada Britanike vlerësoi marrëveshjen e re ndërmjet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke e cilësuar atë një hap të rëndësishëm për sigurimin e qartësisë dhe efektivitetit të hetimeve zgjedhore.

Për ambasadën, angazhimi i Shqipërisë për të siguruar zgjedhje të drejta, transparente dhe të sigurta më 11 maj është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të demokracisë në vend.