Takim mes drejtuesve të policisë së Shqipërisë dhe Kosovës, dakordësi për bashkëpunim pa barriera

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, priti sot në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, së bashku me drejtues të strukturave të njësive speciale të Policisë së Kosovës.

Në një atmosferë miqësore, Proda theksoi se “nuk ka nevojë për ceremoni protokollare për të pritur mikun në shtëpinë e tij”, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit mes dy institucioneve.

Takimi kishte në fokus forcimin e bashkëpunimit mes dy policive, shkëmbimin e eksperiencave dhe praktikave më të mira, si dhe koordinimin e përbashkët për sezonin veror 2025. Palët u dakordësuan për shtimin e skuadrave të përbashkëta hetimore dhe organizimin e operacioneve të përbashkëta për të goditur trafikun e armëve, lëndëve narkotike dhe qenieve njerëzore.

Më pas, delegacioni i Policisë së Kosovës vizitoi ambientet e Njësisë Speciale “RENEA” dhe Forcës Kombëtare të Sigurisë, ku u pritën nga drejtuesit dhe punonjësit e këtyre njësive. Vizita shërbeu për të shkëmbyer përvojat mbi organizimin dhe metodologjitë e operacioneve të kërkim-shpëtimit, menaxhimin e situatave emergjente dhe operacionet kundër terrorizmit dhe pengmarrjeve.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by replika.al (@replikealbania)