Tajvani po shikon nga afër ushtrinë kineze, e cila sipas saj po paraqet kërcënim në rritje për rajonin, pasi Pekini dërgoi dhjetëra avionë pranë ishullit vetëqeverisës, në kuadër të stërvitjeve ushtarake të Kinës me Shandongun.
Stërvitjet ushtarake të Kinës përkojnë me samitin e NATO-snë Uashington, ku në deklaratën e aleancës u tha se Kina është bërë një mundësuese e përpjekjeve të luftës së Rusisë në Ukrainë. NATO tha po ashtu se Pekini vazhdon të paraqesë sfidë sistematike për Evropën dhe sigurinë e saj.
Në informacionet ditore për aktivitetet ushtarake të Kinës, Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha se në 24 orët e fundit janë identifikuar 66 avionë kinezë përreth ishullit.
Nga këta avionë, 33 kaluan mbi zonat jugore dhe juglindore të Tajvanit, tha Ministria e Mbrojtjes, ndërkaq tha se po ashtu ka detektuar 36 avionë që kaluan në perëndim të Paqësorit për të kryer stërvitje me Shandongun.
Duke folur me zyrtarët ushtarakë në Taipej, presidenti tajvanez, Lai Ching-te, tha se ai do të vazhdojë të forcojë mbrojtjen e ishullit.
“Kërcënimi nga komunistët kinezë për stabilitetin e rajonit vazhdon të rritet dhe zona e tyre gri në Ngushticën e Tajvanit dhe zonat përreth po rritet dita-ditës”, tha ai.
Tajvani ka thënë se Kina po përdor taktika “të zonës gri” që parandalojnë një luftë dhe për të testuar e për t’u bërë presion forcave tajvaneze.