Tabela me Pejën si pjesë e Serbisë ngjall indinjatë në Mal të Zi, nisin hetimet për provokimin
Një tabelë rrugore në qytetin e Plavës në Malin e Zi ka shkaktuar reagime të forta dhe indinjatë të gjerë, pasi në të Peja – qytet në territorin e Kosovës – ishte shënuar si pjesë e Serbisë. Rasti është cilësuar nga shumë qytetarë si një “provokim i pastër” ndaj shqiptarëve.
Tabela u hoq më 6 prill, por nuk dihet ende se kur ishte vendosur saktësisht. Ministria e Transportit në Malin e Zi ka reaguar duke urdhëruar një hetim të menjëhershëm dhe ka bërë me dije se rasti është tashmë në vëmendjen e Inspektoratit përkatës.
“Drejtoria e Transportit është përgjegjëse për vendosjen e sinjalistikës rrugore në rrugët magjistrale dhe rajonale. Kemi urdhëruar daljen në terren dhe veprimet në përputhje me gjendjen faktike dhe ligjin”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë.
Sipas ligjit malazez, sinjalistika rrugore vendoset nga Drejtoria e Transportit me pëlqimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Deri tani, asnjë institucion nuk ka marrë përgjegjësinë për vendosjen apo heqjen e tabelës.
Ministria nuk ka ofruar ende informacion se kush qëndron pas këtij veprimi, i cili bie ndesh me njohjen zyrtare të shtetit të Kosovës nga Mali i Zi. Edhe pushteti lokal në Plavë ka mohuar çdo përfshirje.
Vëmendje ka marrë fakti se në krye të Ministrisë së Transportit është Maja Vukiçevic, një politikane nga Partia Demokratike Popullore, e njohur për qëndrimet e saj pro ruso-serbe, çka ka nxitur dyshime mbi motivet politike të këtij incidenti.