Tabaku propozon 4 ndryshime ligjore për kontratat koncesionare: Po shkatërrohet tregu! Koncesionet, rreziku më i madh në periudhën afatmesme dhe afatgjatë

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka propozuar 4 ndryshime ligjore për kontrollin e kontratave për koncesionet dhe PPP-të në Komisionin e Ekonomisë.

Nga rritja e transparencës me publikimin e dokumenteve në Agjencinë e Trajtimit të Koncesioneve/PPP-ve, tek rritja e përgjegjësisë personale tek punonjësit e administratës, forcimi i kontrollit të raporteve financiare e deri në rritje e skrupolozitetit të luftës kundër pastrimit të parave, janë ndryshimet ligjore që deputetja Tabaku propozoi për kontrollin e kontratave.

Tabaku vlerëson si element kyç transparencën, mungesa e së cilës, sipas saj ka prodhuar korrupsion e për rrjedhojë ka hequr mundësinë e kontrollit dhe llogaridhënies. Një tjetër element problematik i hasur gjatë analizës së ekspertëve ka qenë ajo e lidhur me zinxhirin e vendimmarrjes.

“Po shkatërrohet tregu dhe po i jepet një pakice. Është cështje e vullnetit politik. Sot jeni ju mazhorancë në parlament por besoj që përtej ngjyrave politike, secili është i interesuar për publikun. Koncesionet janë rreziku më i madh në periudhën afatmesme dhe afatgjatë”, tha Tabaku.