Tabaku përplaset me Celibashin për numërimin e votave të diasporës: Po dalin 50 vota më shumë për Tiranën, më thatë se nuk kishte ndryshime
Kandidatja demokrate për qarkun e Tiranës, Jorida Tabaku, është përplasur me kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, gjatë procesit të numërimit të votave të diasporës, i cili po vijon ende. Gjatë debatit, Tabaku ka ngritur shqetësimin se numri i votave që duhen numëruar ka ndryshuar, duke dalë 50 vota më shumë nga ajo që ishte deklaruar më parë.
Tabaku tha se më herët kishte pyetur për numrin e votave për qarkun e Tiranës dhe i ishte thënë se ishin 622 vota për t’u numëruar, por tani shifra kishte arritur në 670.
Tabaku: Ja pra, ne e sqaruam këtë, para katër orësh ju pyetëm dhe na thatë këtë shifër. Tani del 50 më shumë, ky është problemi. Ju kemi pyetur çdo orë, a ka shtesë, më keni thënë jo.
Celibashi: Kush është pretendimi?
Tabaku: Pretendimi është që ishin 622 për t’u numëruar nga shifra që na dhatë, tani na dalin 670 për t’u numëruar.
Ndërkohë, përfaqësuesja tjetër e KQZ-së, Jona Josifi, u përpoq të qartësonte situatën, duke thënë se procesi përfshin shifra të ndryshme nga sistemi automatik dhe numërimi manual, që mund të shkaktojë ndryshime të tilla.
Josifi: Kemi një shifër nga sistemi automatik dhe një shifër manuale. Nuk e ke në të njëjtën numërues, njërën e merr automatikisht.
Celibashi shtoi se procesi i vlerësimit po vazhdon ende, duke lënë të hapur mundësinë për ndryshime të mëtejshme në rezultatet përfundimtare.