“Syri i keq” mbi tunelin e Murrizit? Rama: Rruga e Arbrit pa pagesë, sa të jem kryeministër
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Rruga e Arbrit nuk do të ketë asnjë tarifë pagese gjatë kohës që ai do të jetë në detyrë. Gjatë një deklarate publike, ai theksoi se kjo rrugë është ndërtuar nëpërmjet një partneriteti publik-privat (PPP), por pa përdorur para nga taksat e qytetarëve.
“Ajo rruga e Arbrit atje, që do hapet tuneli i Murrizit më në fund, o zot, ishalla nuk kemi ndonjë surprizë tjetër me atë tunel se aty është mbledhur i gjithë syri i keq. Më 14 mars është plani për t’u hapur,” tha Rama.
Kryeministri garantoi se, pavarësisht formës së financimit përmes PPP-së, rruga nuk do të ketë tarifë kalimi për sa kohë ai është në krye të qeverisë. “Dikush pyeste sa do ta paguajmë atë rrugë? Nuk do ketë pagesë sa të jem unë këtu. Që do vijë dita që të gjitha rrugët do të bëhen me pagesë, si në gjithë botën, kjo nuk diskutohet, por jo rruga e Arbrit sa të jem unë,” u shpreh ai.
Rama mbrojti gjithashtu format e PPP-ve, duke theksuar se ato janë modele që përdoren rregullisht edhe nga Bashkimi Europian. Sipas tij, këto partneritete kanë sjellë përmirësime të dukshme në sektorë të ndryshëm, përfshirë shëndetësinë.
“Ato PPP që këtu janë mallkuar, BE i bën çdo ditë. Edhe në spitale, megjithëse u dërdëllit çdo ditë, kanë rënë infeksionet në mënyrë drastike, dhe sot operohet me materiale të standardeve më të larta, njësoj si në Evropë,” tha Rama.
Përfundimi i tunelit të Murrizit pritet të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin në Rrugën e Arbrit, një projekt strategjik për lidhjen më të shpejtë të Tiranës me Dibër dhe zonat verilindore të vendit.