Sylvinho tregon përjetimin: Nuk kam si t’jua tregoj emocionet aq shumë ndjej…edhe ne duam pikë!”

Trajneri i kombëtares, Sylvinho foli në konferencë për shtyp para ndeshjes së parë në Euro 2024 ndaj Italisë, më datë 15 qershor. Tekniku brazilian i kuqezinjve theksoi se për të është një nder të jetë në Euro 2024 me Shqipërinë ndërsa shtoi se do të zbresin në fushë për të luftuar dhe për të tentuar të marrin pikë nga çdo ndeshje.

Ka shumë diferenca mes Italisë së kaluar dhe asaj të tanishme. Por, Italia është një skuadër e nivelit më të lartë, ka lojtarë të shpejtë dhe një trajner të mrekullueshëm. Mancini ka bërë punë të madhe, Spalletti po ashtu. Kanë eksperiencë, janë një “top” skuadër. Kur futen në fushë, e bëjnë për të fituar kompeticionin. Por, edhe ne do të futemi për pikë”, u shpreh Sylvinho.

Kësaj jave keni folur për tensionin e ndier dy ditë para ndeshjes me Moldavinë. Si ka qenë nata e djeshme për ju, atmosfera para Italisë?

Ju më njihni shumë mirë, kemi biseduar me njëri tjetrin, pas ndeshjes së Moldavisë, ku e kemi stampuar biletën për në Europian. Tani, gjashtë muaj më vonë, ndjenjat janë si atë natë. Skuadra është e motivuar, djemtë janë të gatshëm. Do të jetë një ditë e mrekullueshme për të përfaqësuar vendin tonë. Është dita me më shumë emocione dhe do të bëjmë më të mirën e mundshme.

Do të doja t’ju pyesja se çfarë Italie prisni. Spalletti mund të luajë me tre apo katër mbrojtës? Kush do të luajë në portë Berisha apo Strakosha?

Me atë që kemi parë, ata mund të përshtaten me sistemin 3-4-3 dhe 4-3-3, mund të ndryshojnë sistemin në varësi të kundërshtarit. Janë të vështirë për t’u thyer. Italia ka një anë të fortë, mbrohet shumë mirë, dhe e mban topin me pozicion të qëndrueshëm. Ka lojtarë që vrapojnë shumë dhe kanë shkathtësi të theksuara. Ne kemi edhe një seancë stërvitore pastaj do të vendosim për formacionin titullar.

Kapiteni dhe trajneri i Italisë janë shprehur se duhet të fitojnë. Do të dëgjojmë edhe Spanjën dhe Kroacinë që do tw thonë të njëjtën gjë. Presioni është te skuadrat e mëdha, ndoshta Shqipëria, pa presion fare, mund të përfitojë…

E dimë se çfarë garë e madhe është se sa të mëdhenj janë kundërshtarët tanë. Ata që janë favoritë, mund të hasin vështirësi. Ne kemi ardhur për të luajtur. Ata s’mund t’ua lejojnë vetes gabimet, e kemi parë edhe te Brazili që nuk është e lehtë. Ne do të zbresim në fushë për të luftuar për çdo pikë. Çdo gjë mund të ndodhë gjatë 90 minutave.