Sylvinho “i ashpër” me 4 futbollistë, i dërgon në tribunë para Serbisë

Katër futbollistë nuk do të kenë mundësi për të tentuar të marrin minuta ndaj Serbisë.

Rregullat e UEFA-s kanë kushtëzuar teknikun Sylvinho dhe stafin e tij, duke sakrifikuar kështu futbollistë të prespektivës dhe tepër të talentuar për një përballje të tillë. Mario Dajsinani, Medon Berisha, Adrian Bajrami dhe Adrion Pajaziti do e ndjekin këtë duel nga shkallët e stadiumit kombëtar. Gardiani i Egnatias nuk ka fituar balotazhin kundrejt emrave si Strakosha, Kastrati dhe Sherri.

Edhe në mbrojtje konkurenca është e lartë dhe ai që largohet ishte Bajrami, kjo ndikuar edhe nga hapësirat e pakta që ka gjetur te Benfika. I treti i sakrifikuar  Adrion Pajaziti, me fantazistin që gjithashtu ka rival për vendin në fushë me Ramadanin, Asllani dhe Bajrami, por dhe zbulimi i këtij viti në urdhërat e teknikut Sylvinho, Juljan Shehu.

Një befasi mund të quhet mungesa e mesfushorit të Lecces, Medon Berisha, i cili në ndeshjet e muajit mars ndaj Anglisë dhe Andorrës qëndroi në stol. Kombëtarja shqiptare gjendet në vendin e dytë në grup me 3 pikë pas dy ndeshjeve, ndërsa Serbia e fundit, por pa zhvilluar ende asnjë takim.