“SY MË SY”/ “Me ujin e pijshëm dhe pensionet nuk ke punuar mirë”! Rama i përgjigjet komentuesit: Kush e bëri Shqipërinë lëmsh e li…
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj një komenti në rubrikën e tij “SY MË SY” në Facebook, ku një ndjekës i kërkonte më shumë vëmendje për çështjen e pensioneve dhe furnizimin me ujë të pijshëm. Në përgjigjen e tij, Rama theksoi se qeveria e Partisë Socialiste është e vetmja që ka bërë për pensionistët më shumë se çdo qeveri tjetër, duke përmendur reformat dhe bonuset e dhëna.
“E mira nuk ka fund dhe borxhi i kësaj shoqërie ndaj pensionistëve nuk lahet kurrë. Por nëse ka një qeveri që ka bërë dhe mund të bëjë akoma më shumë për pensionistët, është vetëm kjo qeveri e PS. Ishte kjo qeveri që bëri reformën e pensioneve dhe mundësoi pensione më të larta për ata që kanë dalë në pension në dhjetë vitet e fundit,” tha Rama.
Ai nënvizoi se bonusi prej 100 milionë eurosh i dhënë për fundvitin, do të pasohet nga një bonus tjetër në pranverë, duke garantuar se dy bonuse do të vazhdojnë çdo vit.
Në reagimin e tij, Rama kritikoi ashpër opozitën, duke thënë se ajo ofron “qilima fluturues për pensionistët, si Sudja dhe Xhaferri,” duke iu referuar skemave piramidale të viteve ’90. Ai shtoi: “Mos ta harrojë askush se kush e bëri Shqipërinë lesh e li dhe kush nuk ka, as nuk do ketë asgjë për të ofruar.”
Kryeministri përfundoi duke deklaruar se Shqipëria nuk ka pasur një qeveri më të mirë se ajo e PS dhe nuk do të ketë për të paktën 10 vitet e ardhshme.