Katër fitore dhe një barazim për një mesatare prej 2.6 golash për ndeshje është bilanci i javës së 26-të në Superligës shqiptare.
Takime që prodhuan jo pak surpriza, sidomos nga skuadrat që po luftojnë për të mbijetuar në fund të sezonit. Skënderbeu i vendit të fundit mposhti minimalisht 1-0 Egnatian kryesuese, për t’i dhënë një tjetër hov shpresave për të qëndruar në elitë. Triumf i mbërritur falë një penalltie të Nikaj, duke i rikthyer korçarët edhe tek 3 pikëshi pas tre takimesh.
Gjithsesi, ekipi i teknikut Ernest Gjoka mbetet i fundit në renditje, me 4 pikë larg Teutës që për momentin është në zonën play-out dhe 5 nga Bylisi në zonën e shpëtimit. Si durrsakët ashtu edhe ballshiotët morën fitore tepër të rëndësishme për objektivat. Teuta triumfoi në duelin direkt 2-1 me Tiranën për t’i lënë pas krahëve në renditjen dhe shkaktuar humbjen e 8-të në këtë sezon. Fitorja ndaj Partizanit ishte e jashtëzakonshme për Bylisin. Ballshiotët po kalojnë një moment të mirë dhe kjo pritet t’i ndihmojë për të shpëtuar rënien.
Ndaj kryeqytetasve ata treguan dhëmbët duke lënë edhe pasoja, siç ishte largimi i trajnerit, Veselinovic. Një triumf që i ngjit në kuotën e 28 pikëve për të ngushtuar edhe hendekun me Elbasanin dhe Laçin, për momentin në zonë të qetë. Elbasanasit ndalën në barazim 1-1 Vllazninë për t’i mohuar edhe afrimin me kreun e renditjes shkodranëve, teksa kurbinasit u mposhtën nga Dinamo, skuadra e momentit në Superligë, pasi nuk humbet prej 6 javësh në kampionat.