Superiore: Erzeni sfidon Partizanin për një vend në Evropë, ja tri ndeshjet e sotme

E shtuna do të ketë tre sfida interesante në Kategorinë Superiore.

Në orën 13:00, fundjava nis me Laçi-Bylisi. Kurbinasit ndodhen aktualisht në vendin e gjashtë me 29 pikë, ndërsa Bylisi në vendin e parafundit me 23 pikë. Laçi në pesë ndeshjet e fundit të luajtura në ligë, ka marrë 2 humbje dhe 3 fitore, ndërsa ballshiotët 2 fitore dhe tre humbje. Sfida pritet të jetë interesante, pasi Laçi tenton të ngjitet sa më lartë në tabelë për të tentuar një kualifikim në kupat evropiane, ndërsa për Bylisin, objektivi është shpëtimi nga rënia e kategorisë.

Sfida e radhës do të jetë ajo pes Teutës dhe Kukësit, e cila do të luhet në orën 16:00 në stadiumin Niko Dovana të Durrësit. Të dyja ekipet janë me pikë të barabarta me nga 25 pikë. Do të jetë një përballje e barabartë në letër dhe e fortë.

E shtuna mbyllet me supersfidën Partizani-Erzeni, e cila do të luhet në orën 19:00 në stadiumin e “demave të kuq”. Do të jetë një sfidë tepër emocionuese dhe premtohet spektakël nga të dyja palët. Partizani ndodhet në vendin e tretë me 34 pikë, po aq sa Vllaznia e vendit të dytë. Erzeni nga ana tjetër ndodhet në vendin e katërt me 31 pikë. Kjo do të jetë një përballje e fortë pasi ekipet në fjalë janë në luftë për një vend në kupat e evropës, por edhe ndonjë mrekulli mund të ndodhë deri në fund të sezonit për kreun e tabelës.