Sulmoi me thikë policët në Paris, autori vritet nga forcat e rendit
Një burrë është vrarë nga policia në veri të Parisit pasi sulmoi me thikë disa efektivë. Sipas autoriteteve franceze, fillimisht një nga policët përdori një armë elektrike për ta neutralizuar, por pa sukses. Një tjetër oficer më pas hapi zjarr ndaj sulmuesit, duke e plagosur rëndë në gjoks.
Ngjarja ndodhi rreth orës 07:00 të mëngjesit të së mërkurës, kur agresori u hodh drejt patrullës së policisë i armatosur me dy thika. Pas të shtënave, shërbimet e urgjencës tentuan ta shpëtonin, duke i bërë masazh kardiak, por ai nuk arriti t’u mbijetonte plagëve.
Hetimet për rastin po drejtohen nga policia e Seine-Saint-Denis, ndërsa Inspektorati i Përgjithshëm i Policisë Kombëtare do të shqyrtojë përdorimin e armës së shërbimit nga efektivët. Ende nuk dihen motivet e sulmit dhe identiteti i autorit.