Sulmi në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok, vendoset dhe një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar një muaj paraburgim për Jovan Viqentijevic, i dyshuar për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin Potokut.

Lajmin e konfirmoi zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
Ndryshe, një shpërthim i fuqishëm të premten në mbrëmje në Varagë të Zubin Potokut ka dëmtuar kanalin e ujit Ibër-Lepenc.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti këtë sulm në veri të Kosovës e ka quajtur kriminal dhe terrorist dhe vjen nga bandat e orkestruara nga Serbia.

Sulmin e kanë dënuar edhe bashkësia ndërkombëtare dhe kanë kërkuar sjelljen e autorëve përgjegjës para drejtësisë.

E Prokuroria Speciale një ditë më parë ka bërë të ditur se në koordinim me Policinë e Kosovës kanë kryer disa kontrolle në disa lokacione të ndryshme, ku janë gjetur dhe sekuestruar armë të ndryshme dhe pajisje tjera.

Lidhur me sulmin terrorist janë shoqëruar në stacionin policor 10 persona. Policia dhe organet e drejtësisë po vazhdojnë veprimet hetimore për këtë rast.