Sulmi në Ibër-Lepenc, Albin Kurti njofton rikthimin e furnizimit me ujë për zonat e prekura

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjithashtu ka njoftuar se pas sulmit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, është rikthyer furnizimi me ujë.

Duke rishpërndarë postimin e ministres Artane Rizvanolli, Kurti ka shkruar se prurjet e ujit në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) kanë arritur nivele optimale për furnizim me ujë për Termocentralin “Kosova B”.

Ai po ashtu bëri të ditur se furnizimi me ujë është normalizuar për qytetarët e komunave të Skenderajt, Mitrovicës së Jugut, Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit.

Kryeministri Kurti theksoi se ka rifilluar furnizimi i fabrikave të ujit në rajonet e Mitrovicës dhe Prishtinës, ndërsa pritet që shumë shpejt të normalizohet edhe furnizimi me ujë për qytetarët në Fushë Kosovë, Drenas dhe Obiliq.

Shpërthimi mbrëmjen e së premtes i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, duke i nxitur autoritetet kosovare ta akuzojnë Serbinë për sulm “kriminal dhe terrorist” ndaj infrastrukturës jetike të vendit.