Sulmi ndaj Klea Prengës/ Antonela dhe Mariela Berisha kaluan pa kontroll në doganën e Morinës

Antonela dhe Mariela Berisha janë sot dy prej vajzave më të kërkuara nga policia shqiptare, pasi ndaj tyre ka një urdhërarrest për akuzën e plagosjes së rëndë me dashje, në drejtim të shtetases Klea Prenga. Pasi masakruan këtë të fundit me gota dhe me shishe qelqi, në një lokal luksoz në zonën e Kodrës së diellit në Tiranë, dy motrat dyshohet se janë larguar nga Shqipëria përmes doganës së Morinës, për në Kosovë, ku dhe i kanë shpëtuar kontrollit të pasaportave.

Prej andej, ato dyshohet se janë larguar më pas drejt Dubait, ku dhe po qëndrojnë në javët e fundit. Edhe pse zyrtarisht referuar sistemit TIMS ato figurojnë në Shqipëri, kanë dështuar të gjitha kontrollet për gjetjen e tyre, çka sipas hetuesve të bën të mendosh se janë larguar në mënyrë ilegale jashtë vendit.

Babai i Klea Prengës në një reagim të parë  pas ngjarjes së rëndë, tha se të bijës i janë dëmtuar nervat e buzëve dhe nuk arrin që të flasë. Megjithatë ai nuk preferoi që të bënte komente të mëtejshme mbi dhunimin e Kleas, duke thënë se i takonte të bijës që të shprehej në lidhje me ngjarjen, e cila është klasifikuar si plagosje e rëndë.